Presidenti Joe Biden tha të martën se Shtetet e Bashkuara pritet të kenë furnizime të mjaftueshme me vaksina të koronavirusit për të gjithë amerikanët në moshë madhore deri në fund të majit, dy muaj më herët sesa parashikohej, pasi administrata e tij njoftoi se prodhuesi i ilaçeve Merck & Co do të ndihmojë në prodhimin e vaksinës së kompanisë rivale Johnson & Johnson.

Njoftimi vjen ndërsa Shtëpia e Bardhë vazhdon përpjekjet për të përshpejtuar prodhimin e vaksinës me një dozë të vetme të kompanisë Johnson & Johnson. Administrata e Presidentit Biden po përpiqet gjithashtu që të përshpejtojë planet e vendit për të arritur “imunitetin e turmës” dhe rikthimin e normalitetit pas pandemisë.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Biden tha se ai mësoi kur mori detyrën se Johnson & Johnson “ishte prapa në prodhimin dhe shpërndarjen” e vaksinës së saj dhe kishte prodhuar vetëm 3.9 milionë doza përpara marrjes së autorizimit për përdorim urgjent të vaksinës së saj të shtunën. Kompania ka premtuar të prodhojë 100 milion doza deri në fund të qershorit.

Presidenti Biden tha se ekipi i tij “ka punuar shumë për të përshpejtuar këtë përpjekje.”

Ndihma nga kompania Merck pritet të ndihmojë kompaninë J&J të përmbushë angazhimet e saj të prodhimit dhe të zgjerojë furnizimin edhe më tej, por administrata nuk dha menjëherë hollësi të mëtejshme për këtë.

Shtëpia e Bardhë tha se kompania Merck do të ofronte dy impiante të saj të prodhimit për këtë përpjekje. Njëra do të prodhonte vaksinën dhe tjetra do të merrej me futjen e vaksinës në shishka dhe sigurimin e kontrolleve të rrepta të cilësisë. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se administrata e Presidentit Biden po përdorte kompetencat e saj të Aktit të Prodhimit të Mbrojtjes për të ndihmuar kompaninë Merck të bëjë këtë ndryshim, duke mundësuar prodhimin më të shpejtë të vaksinës së krijuar nga rivali i saj Johnson & Johnson./VOA