Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi të enjten një objektiv të ri për uljen e sasisë së ndotjes nga gazet që shkaktojnë efektin serrë në Shtetet e Bashkuara me 50-52% deri në vitin 2030.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për ruajtjen e planetit,” deklaroi zoti Biden, në hapje të një takimi virtual global të nivelit të lartë mbi ndryshimin e klimës me pjesëmarrjen e 40 udhëheqësve botërorë.

“Bëhet fjalë për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë ne,” tha ai.

“Të dhënat shkencore janë të qarta dhe të pakundërshtueshme. Kostoja e mosveprimit vazhdon të rritet,” shtoi ai.

Angazhimi i presidentit Biden për të ulur sasinë e karburanteve fosile deri në 52% deri në 2030 shënon një kthim të Shteteve të Bashkuara tek përpjekjet globale të klimës, pas katër vitesh tërheqjeje nën ish-presidentin Donald Trump.

Premtimi i administratës amerikane përbën përpjekjet më ambicioze të Shteteve të Bashkyara për klimën, gati dyfishi i reduktimeve që kishte marrë përsipër administrata e ish-presidentit Obama në marrëveshjen e Parisit të vitit 2015.

Shtëpia e Bardhë thotë se përpjekjet për ta realizuar këtë objektiv, përfshijnë hapa për energji elektrike të pastër, rritjen e efikasitetit të karburantit të makinave dhe kamionëve, mbështetjen e eliminimit të karbonit në objektet industriale dhe reduktimin e përdorimit të metanit.

Një zyrtar i administratës së Biden tha të mërkurën se me synimin e ri të SHBA-së dhe ato të vendosura nga Japonia, Kanada, Britania dhe Bashkimi Evropian, që së bashku përbëjnë më shumë se gjysmën e ekonomisë së botës, ngrohja globale do të kufizohej në 1.5 gradë Celsius.

Mesatarisht në të gjithë globin, temperaturat janë rritur më shumë se 1.1 gradë Celsius që nga viti 1980. Shkencëtarët e lidhin këtë rritje me valë nxehtësie, thatësira, zjarre, stuhi dhe të tjera. Ata vënë në dukje se shkalla e rritjes së temperaturës është përshpejtuar që nga vitet 1980.

Udhëheqësit botërorë ranë dakord të kufizojnë ngrohjen globale në nën 2 gradë në marrëveshjen e klimës së Parisit 2015, dhe të kishin si objektiv uljen në 1.5 gradë.

Mesatarisht në të gjithë globin, temperaturat janë rritur më shumë se 1.1 gradë Celsius që nga viti 1980. Shkencëtarët e lidhin rritjen me valët e nxehtësisë, thatësira, zjarre, stuhi dhe ndikime të tjera. Ata vënë në dukje se shkalla e rritjes së temperaturës është përshpejtuar që nga vitet 1980./VOA