Angazhime të përbashkëta për të luftuar regjimet autokratike

Uashingtoni zyrtar përmbylli punimet dyditore te samitit virtual për demokracinë ku në qendër të vëmendjes ishte keqpërdorimi i teknologjisë nga shtetet autokratike dhe u bë thirrje për një samit pasues për të vlerësuar përparimin në mbrojtjen e zgjedhjeve të ndershme, të të drejtave të njeriut dhe luftën kundër korrupsionit. Ne e dimë se jemi përballë sfidës tha Presidenti amerikan Joe Biden në mbyllje të këtij samiti duke iu adresuar online 100 liderëve nga e gjithë bota.

“Ne jemi të përkushtuar të punojmë me të gjithë ata që ndajnë vlerat demokratike, për të formësuar rregullat që do të qeverisin progresin tonë në shekullin e 21-të, duke përfshirë çështjet e sigurisë kibernetike dhe teknologjive në zhvillim. Si udhëheqës të qeverive, ne kemi përgjegjësi të dëgjojmë qytetarët tanë, të forcojmë demokracinë dhe të drejtojmë reformat që do t’i bëjnë qeveritë transparente dhe të përgjegjshme kundër autokracisë dhe atyre që duan pushtet përpara të mirës publike”.

Administrata Biden njoftoi iniciativën për një politikë të përbashkët që rregullon eksportin e teknologjive që ndihmojnë shtetet autokratike të kryejnë fushata të dezinformimit kibernetik, të vëzhgojnë qytetarët e tyre dhe të frikësojnë të drejtat e tyre të njeriut, pakicat, informatorët, gazetarinë dhe institucionet e gjyqësorit.

Kjo iniciativë që pret miratimin e kongresit amerikan është pjesë e buxhetit 424 milionë Dollarëve që administrata Biden premtoi për të forcuar zgjedhjet e lira, për të mbrojtur mediat e pavarura dhe pakicat në mbarë botën.

Klan News