Biden plan për mbylljen e Guantanamos



Biden plan për mbylljen e Guantanamos

08:18 13/02/2021

Urdhri ekzekutiv pritet te nënshkruhet muajin e ardhshëm

Administrata Biden ka nisur të shqyrtojë planet mbi mbylljen në të ardhmen e burgut famëkeq amerikan në Gjirin e Guantanamos, në Kubë. Lajmin e kanë bërë të ditur burime nga Shtëpia e Bardhë për agjencinë “Reuters”.

Zyrtarë të përfshirë në bisedimet e brendshme po shqyrtojnë marrjen e një urdhri ekzekutiv që synohet të nënshkruhet nga presidenti Joe Biden në muajt e ardhshëm.

Lajmi sinjalizon kështu një përpjekje të re për të mbyllur atë që avokatët e të drejtave të njeriut e kanë cilësuar si një njollë në imazhin global të Shteteve të Bashkuara.

Ne kemi nisur një proces diskutimi për t’i dhënë zgjidhje një çështjeje të trashëguar nga administrata e mëparshme, në linjë me synimin tonë madhor për ta mbyllur Guantanamon”, deklaroi zëdhënësja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Emily Horne.

Por pavarësisht nismës, ka pak gjasa që kompleksi famëkeq i sigurisë së lartë të mbyllë dyert në të ardhmen e afërt.

I ngritur për të strehuar të dyshuarit për terrorizëm pas sulmeve të 11 shtatorit, burgu i Guantanamos u kthye në simbol të tejkalimit të limiteve të luftës amerikane kundër terrorizmit, pasi metodat e marrjes në pyetje të të burgosurve u kthyen shumë shpejt në tortura.

Më parë ishte presidenti Obama që synonte mbylljen e burgut, por një gjë e tillë nuk e realizua dhe kjo u quajt një nga premtimet e pambajtura të tij.

Klan News







Të ngjashme