Presidenti i SHBA Joe Biden tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë në bisedime me disa vende për çështjen se kush do të marrë dozat tepricë të vaksinave për COVID-19n.

“Ne jemi në bisedime me disa vende,” u tha Presidenti Biden gazetarëve, ndërsa largohej nga Shtëpia e Bardhë për të promovuar paketën e tij stimuluese në Pensilvani. “Do t’ju njoftoj shumë shpejt”, tha ai.

Presidenti Biden ka premtuar të garantojë se çdo amerikan do të ketë mundësi të marrë vaksinën, para se ato t’i jepen një vendi tjetër. Ai nuk i përmendi me emër vendet.

Meksika u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara t’i japin doza të vaksinës AstraZeneca që ndodhen në depot amerikane, tha një diplomat i lartë, pas një kërkese të bërë në drejtim të zotit Biden nga Presidenti Andres Manuel Lopez Obrador.

Zëvendësministrja e jashtme e Meksikës, Martha Delgado, tha se meqenëse Shtetet e Bashkuara nuk e kanë miratuar ende AstraZeneca-n, kjo vaksinë do të ishte një kandidate e mirë për t’iu ofruar Meksikës, e cila tashmë po e përdor atë./VOA