Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden njoftoi të martën rreth disa mënyrave të reja për të ndihmuar një numër më të madh amerikanësh të vaksinohen kundër pandemisë së koronavirusit.

Shtëpia e Bardhë tha se zoti Biden do të parashtrojë plane sipas së cilave kompanitë Lyft dhe Uber (të cilat kryejnë shërbime taksi) do të ofrojnë shërbim falas për në pikat e vaksinimit, për të gjithë ata që vaksinohet deri më 4 korrik.

Kjo datë është Dita e Pavarësisë së vendit dhe afati që zoti Biden ka vendosur që 70% e amerikanëve të rritur të kenë marrë të paktën një dozë vaksinimi. Shifra tani qëndron në 58%.

Zoti Biden njoftoi gjithashtu se disa nga kolegjet më të mëdha dyvjeçare të vendit do të shërbejnë si vende vaksinimi për studentët, personelin dhe komunitetet lokale gjatë majit dhe qershorit.

Qeveria amerikane po vë në dispozicion menjëherë fondet për shtetet që të paguajnë për qendra telefonike dhe fushatë derë më derë për të nxitur njerëzit të vaksinohen dhe kioska vaksinimi në vendet e punës dhe kisha.

Hapat e zotit Biden vijnë ndërsa ritmi i vaksinimeve ka rënë në SHBA në rreth 2.1 milion doza në ditë, nga më shumë se 3 milion para disa javësh. Rreth një e pesta e amerikanëve thonë se ose nuk kanë ndërmend të vaksinohen ose mbeten skeptikë për një arsye ose një tjetër.

SHBA ka regjistruar 582,000 vdekje dhe 32.7 milionë raste nga koronavirusi, më shumë se çdo vend tjetër, sipas Universitetit Johns Hopkins. Por numri i rasteve të reja ka rënë ndjeshëm ndërsa më shumë amerikanë vaksinohen./VOA