SHBA po përpiqet të qetësojë situatën e krijuar mes Rusisë dhe Ukrainës. Presidenti Joe Biden ka planifikuar zhvillimin e bisedimeve dypalëshe me Moskën më 10 Janar, bëri të ditur një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Por përpara kësaj Presidenti Joe Biden do të zhvillojë një bisedë telefonikë me Presidentin rus Vladimir Putin sonte në mbrëmje rreth orës 20:30, për të diskutuar një sërë temash, duke përfshirë angazhimet e ardhshme diplomatike me Rusinë.

Telefonata është kërkuar nga Putin, sipas një zyrtari të administratës, dhe Biden e pranoi sepse “ai beson se kur bëhet fjalë për Rusinë nuk ka asnjë zëvendësim për dialogun e drejtpërdrejtë lider-lider”.

Një këshilltare e administratës së Presidentit Biden tha se ai vijon të angazhohet në marrëdhëniet diplomatike me aleatët dhe partnerët europianë, duke u konsultuar dhe koordinuar për një qasje të përbashkët në përgjigje të ngritjes ushtarake të Rusisë në kufirin me Ukrainën. Presidenti Biden ka folur me liderë në të gjithë Evropën.

Biden planifikon gjithashtu takime mes NATO-s e Rusisë si dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që mund të mbahen më 12 dhe 13 Janar.

Një zyrtar i lartë i administratës tha ndërkaq se ndërsa SHBA dhe aleatët e saj janë të përkushtuar ndaj diplomacisë kuptimplotë me Rusinë, janë gjithashtu të përgatitur të përgjigjen me sanksione të ashpra dhe të koordinuara nëse Rusia tenton një pushtim të Ukrainës.

SHBA-ja gjithashtu ka “bërë plane për të përforcuar forcat e NATO-s” në Evropën Lindore nëse Rusia sulmon Ukrainën. Më shumë se 100,000 trupa ruse janë ende të stacionuara atje dhe zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë paralajmëruar Ukrainën dhe aleatët se Rusia mund të planifikojë të nisë një sulm në Janar.

Kjo do të jetë telefonata e dytë Biden-Putin pas takimit të parë virtual në fillim të këtij muaji, ku Biden e paralajmëroi kreun e Kremlinit se një pushtim do të rezultonte me pasoja të rënda, të tilla si dënime të ashpra ekonomike dhe përforcime ushtarake amerikane në krahun lindor të NATO-s.

Putini, nga ana tjetër, ka paralajmëruar SHBA-në dhe NATO-n se Rusia do të detyrohet të veprojë nëse kapërcehen “vijat e kuqe” të saj, veçanërisht nëse NATO zgjeron aftësitë e saj ushtarake më tej drejt lindjes dhe në Ukrainë.

Klan News