Komentet e Bidenit vijnë pasi përfaqësues nga Izraeli, Egjipti, Katari dhe SHBA diskutuan kushtet e marrëveshjes në Paris
Një marrëveshje e re armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit mund të hyjë në fuqi javën e ardhshme. Deklarata u bë nga presidenti amerikan Joe Biden i cili tha se do të hyjë në fuqi në 4 mars që do të ndalte luftimet dhe do të mundësonte lirimin e personave që ende mbahen peng.
“Shpresoj deri në fund të javës. Këshilltari im për Sigurinë Kombëtare më thotë se jemi afër, afër, por ende nuk kemi mbaruar me bisedimet. Shpresa ime është që të hënën e ardhshme do të kemi një armëpushim.”
Komentet e Bidenit vijnë një ditë pasi këshilltari i tij për sigurinë kombëtare tha se përfaqësues nga Izraeli, Egjipti, Katari dhe SHBA diskutuan kushtet e marrëveshjes së armëpushimit në Paris. Negociatat vazhdojnë për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, për të mundësuar lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë nga grupi militant, në këmbim të lirimit nga Izraeli të qindra të burgosurve palestinezë.
Propozimi për një pauzë gjashtëjavore në luftime do të mundësonte gjithashtu dërgimin e qindra kamionëve çdo ditë me ndihmat e domosdoshme për popullsinë e Gazës. Negociatorët përballen me një afat jozyrtar me fillimin e muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit rreth datës 10 Mars, një periudhë që shpesh shoqërohet me tensione të rritura mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Javën e kaluar, SHBA-të u kritikuan gjerësisht për veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Në vend të kësaj, ajo propozoi rezolutën e saj të përkohshme të armëpushimit, e cila gjithashtu paralajmëroi Izraelin të mos pushtonte qytetin jugor të Gazës, Rafah.
Nga ana tjetër Izraeli nuk ka arritur të zbatojë një urdhër të gjykatës më të lartë të OKB-së për të ofruar ndihma urgjente për popullsinë e dëshpëruar në Rripin e Gazës, sipas Human Rights Ëatch, një muaj pas vendimit historik në Hagë që urdhëroi Izraelin të ulë intensitetin e operacioneve ushtarake.
Ndërkaq në fushën e betejës, luftimet intensive vijojnë në kufirin Izrael-Liban. Luftëtarët e Hezbollahut dhe forcat izraelite po përshkallëzojnë edhe më tej konfliktin. Ushtria izraelite hodhi rreth 40 raketa drejt Libanit jugor. Grupi libanez Hezbollah qëlloi me raketa bazën e kontrollit ajror Meron në malin Meron në zonën e Galilesë së Epërme. Sirenat ranë në qytetet izraelite Sasa, Kfar Hoshen, Dovif dhe Safsufa.
Situata në Khan Younis mbetet katastrofike dhe po përkeqësohet çdo ditë. Ndërsa ushtria izraelite deklaroi se u tërhoq nga spitali Nasser, por po pengon bllokon gjithashtu hyrjen e autokolonave të ndihmës me ujë, furnizime ushqimore dhe karburant për gjeneratorët.Tensionet vijojnë edhe në Bregun Perëndimor. Tre persona u vranë dhe tre u plagosën gjatë një sulmi të forcave izraelite. Përleshje intensive u raportuan gjithashtu në kampin e refugjatëve Far’a.
Klan News