Gjatë fushatës elektorale shprehu kritika për vendimet e Donald Trump-it, por si president Joe Biden po ecën në të njëjtët binarë në shumë prej tyre. Së fundmi Shtetet e Bashkuara njoftuan Rusinë se nuk do të kthehen në traktatin e Qiejve të Hapur.

Marrëveshja lejon vendet pjesëtare, të kryejnë fluturime mbikëqyrjeje ushtarake të shkurtra me avionë të paarmatosur mes njëri-tjetrit.

Në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit, arsyeja e mosrikthimit të Shteteve të Bashkuara janë shkeljet e vazhdueshme që ka bërë Rusia të këtij traktati gjatë viteve të fundit, por pa përmendur raste konkrete.

Për të njëjtat arsye administrata Trump u tërhoq zyrtarisht nga traktati 22 Nëntorin e kaluar dhe në atë kohë, Biden e quajti vendimin e pararendësit “dritëshkurtër”. Biden ka qenë kundër po ashtu edhe ndaj dyshimeve të hedhura nga Trump se COVID-19 kishte dalë nga laboratori i Wuhanit, por tashmë në krye të Shtëpisë së Bardhë, kërkoi hetime ndaj këtyre dyshimeve, njëlloj si ish-presidenti.

Tv Klan