Plani i vaksinimit synon që 160 milionë amerikanë të vaksinohen plotësisht në Ditën e Pavarësisë

Presidenti Joe Biden ka përcaktuar planet për të vaksinuar 70% të të rriturve në SH.B.A. deri në 4 Korrik. Sipas tij vaksinimi i të rinjve të moshave 12-15 vjeç do të nisë sa më shpejt që është e mundur.

Synimi i ri i Bidenit përfshin vaksinimin e plotë të 160 milionë amerikanëve deri në Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Ky plan është bërë i ditur ndërkohë që 103 milionë amerikanë janë vaksinuar kundër COVID-19. Biden u shpreh se në dy muaj SHBA-ja do të festojë pavarësinë si komb dhe njerëzit do të fitojnë pavarësinë nga ky virus.

Presidenti demokrat njoftoi gjithashtu një faqe të re në internet, vaccines.gov, që amerikanët mund ta përdorin për të gjetur më lehtë vendet e vaksinimit pas ankesave të përhapura se procesi i regjistrimit ishte shumë i vështirë për disa.

Njoftimi vjen ndërsa administrata Biden është larguar nga objektivi për arritjen e imunitetit të tufës. Në vend të kësaj ajo po synon të administrojë sa më shumë vaksinime para stinës së verës.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave po vlerëson nëse duhet të miratojë vaksinën Pfizer për fëmijë të moshës 12 vjeç. Vaksina e Pfizer aktualisht është aprovuar në SHBA për personat e  moshës 16 vjeç. Kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri të ditur se  15,000 farmaci do të vihen në dispozicion të adoleshentëve për të marrë dozën e tyre.

Nëse miratohet, vaksina do të vihet menjëherë në dispozicion për rreth 17 milion adoleshentë të moshës 12 deri në 15 vjeç. Këshilltari kryesor mjekësor i presidentit, Dr Anthony Fauci, ka thënë se fëmijët do të duhet të vaksinohen në mënyrë që jeta të kthehet në normalitet.

Klan News