Biden, thirrje Trump-it të nënshkruajë paketën e ndihmës për COVID-19



Biden, thirrje Trump-it të nënshkruajë paketën e ndihmës për COVID-19

15:57 27/12/2020

“Refuzimi sjell pasoja katastrofike”, 14 milionë amerikanë mbeten pa para

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden paralajmëron për pasoja katastrofike, nëse kreu në detyrë i Shtëpisë së Bardhë nuk nënshkruan paketën 900 miliardë USDpër rimëkëmbjen nga COVID-19.

Përmes një deklarate për shtyp, Biden i kërkoi Trump-it të nënshkruajë paketën e ndihmës ekonomike në mënyrë që miliona amerikanë të papunë të ushqehen dhe të kenë një çati mbi kokë, duke u lehtësuar në këtë mënyrë edhe pasojat e pandemisë.

Përmes Twitter-it, Donald Trump sqaroi se shkak i mungesës së nënshkrimit të tij në paketën e miratuar nga kongresi është ndihma shumë e ulët ekonomike që parashikohet për të papunët amerikanë. Trump kërkon deri 4 mijë dollarë ndihmë ekonomike për çiftet dhe jo 600 dollarë për individ sa ç’parashikon kjo paketë.

14 milionë të papunë në Shtetet e Bashkuara rrezikojnë që këtë muaj të mos përfitojnë ndihmë ekonomike për shkak të mosmarrëveshjes mes presidentit në detyrë dhe kongresit që miratoi paketën në fillim të kësaj jave.

Pandemia ka shtuar ndjeshëm shifrat e të papunëve që kanë kërkuar ndihmë financiare e po ashtu edhe numrin e bizneseve që kanë nevojë për ndihmë ekonomik, të parashikuara në këtë paketë.

Tv Klan






Të ngjashme