Presidenti i SHBA njofton planin e ri për të përballuar rritjet e infektimeve nga Omicron

Në kushtet kur varianti Omicron i koronavirusit po përhapet me shpejtësi, Presidenti amerikan Joe Biden bëri publike masat e administratës së tij që parashikojnë rritje edhe më të ndjeshme të vaksinimit, përfshirë dozat përforcuese. Ai njoftoi se do të ofrohen falas 500 milionë teste të shpejta për amerikanët duke nisur nga Janari të cilat do të dërgohen përmes postës, si dhe do të rritet mbështetja për spitalet e mbingarkuara me të sëmurë.

Gjatë fjalimit të tij në Shtëpinë e Bardhë Presidenti Biden u bëri thirrje televizioneve dhe mediave sociale t’i japin fund menjëherë keqinformimit në lidhje me pandeminë.

Zoti Biden tha se vendi nuk do t’i kthehet më Marsit të vitit 2020 dhe shtoi se amerikanët e kanë detyrë patriotike të vaksinohen.

Presidenti paralajmëroi të martën amerikanët e pavaksinuar se po e vënë veten dhe të dashurit e tyre në rrezik, në një kohë që varianti Omicron po përhapet me shpejtësi.

Nëse nuk jeni plotësisht të vaksinuar, keni arsye për t’u shqetësuar“, tha zoti Biden.

Presidenti tha se të vaksinuarit mund të infektohen me Covid-19, por ata janë të mbrojtur nga rastet e rënda të sëmundjes dhe vdekjet.

Në fjalimin e tij, Presidenti Biden detajoi ndryshime të mëdha në planin për sezonin e dimrit për sa i takon përpjekjeve anti-covid. Sipas këtij plani 1000 mjekë e infermierë ushtarakë do të vendosen në spitalet në mbarë vendin gjatë dy muajve të ardhshëm, pesëfishi i sasisë aktuale.

Klan News