Bill Clinton e Michelle Obama, thirrje për të mposhtur Trump

Joe Biden është zyrtarisht kandidati i demokratëve për zgjedhjet presidenciale të 3 Nëntorit. Konventa e demokratëve e zhvilluar online si asnjëherë më parë në kushtet e pandemisë së koronavirusit, zgjodhi 77-vjeçarin, pas një gare ku rivalët kryesorë të tij brenda partisë si Berni Sanders, u tërhoqën disa javë më parë, duke ia lënë Biden rrugën e lirë.

Në mesazhet online që spikatën ishin ato të ish-presidentit Bill Clinton, ish-zonjës së parë Michelle Obama, por edhe të ish-sekretarit të shtetit, republikanit Kolin Pauell që shprehu mbështetjen për Biden.

Clinton akuzoi Trump se e ka zhytur në krizë ekonominë amerikane, teksa papunësia gjatë administratës së tij është trefishuar. Ndërsa ish-zonja e parë Obama tha se Trump ka sjellë kaos në arenën politike globale.

Në platformën e tij, Biden parashikon ashpërsim të qëndrimit kundër Kinës, duke kritikuar administratën Trump se nuk po bën sa ç’duhet. Lidhur me aleancat ndërkombëtare, demokratët premtojnë ndryshim kursi, pasi thonë se administrata aktuale ka dëmtuar besueshmërinë e SHBA mes partnerëve.

Nëse zgjidhet, Joe Biden do të jetë presidenti më i moshuar në historinë e vendit. Ai është aktualisht 77 vjeç. Javën e ardhshme, republikanët pritet të zyrtarizojnë kandidaturën e Donald Trump për një mandat të dytë.

Tv Klan