Aplikacioni i mesazheve, Signal ka raportuar probleme teknike të premten pasi njohu fluks të madh të përdoruesve, të cilët janë shtuar në këtë platformë kohët e fundit pas ndryshimit të rregullave të privatësisë në WhatsApp.

Disa përdorues raportuan se mesazhet e tyre në Signal nuk dërgoheshin. Kompania reagoi përmes Twitterit, duke thënë se ka shtuar servera të rinj për shkak të numrit të madh të përdoruesve dhe se po mundohet të rregullojë problemin.

Si Singal, po ashtu edhe Telegram, një tjetër aplikacion mesazhesh, kanë përfituar një numër të shtuar përdoruesish pasi aplikacioni rival WhatsApp që numëron 2 miliardë përdorues, njoftoi kushtet e reja të privatësisë.

WhatsApp njoftoi përdoruesit e saj se të dhënat e tyre personale do të ndahen me Facebook, kompaninë nga e cila varet. Nëse përdoruesit nuk pranojnë këto kushte, atëherë llogaria e tyre në WhatsApp do të mbyllet.

Edhe pse rregullat e reja të privatësisë nuk janë të vlefshme për Europën, njoftimi iu dërgua të gjithë përdoruesve të këtij aplikacioni, duke bërë që shumë prej tyre ta braktisin dhe të kalojnë në plarformat alternative, siç është Signal apo Telegram. /tvklan.al