Besimi në ekonomi është ulur me 0.7% gjatë periudhës Prill – Qershor të këtij viti. Sipas vrojtimit të biznesit dhe konsumatorit të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë rezulton se të gjithë sektorët e ekonomisë kanë ulur besimin e tyre gjatë kësaj periudhe, ndërsa presin reduktim të fitimeve në të ardhmen, me përjashtim të degës së shërbimeve.

Industria është sektori që  ka rezultuar me rënien më të madhe të besimit, ku ndikimin më të madh e ka patur ulja e prodhimit. Edhe pse aktiviteti ndërtues është rritur edhe në këtë hark kohor,  ndërtimi sërish ka ulur besimin në ekonomi duke u prekur nga situata e vështirë financiare dhe rritja e punësimit.

Ecuria e tregtisë po ashtu ka pësuar rënie, ndërsa pritshmëritë për të ardhmen janë po ashtu në rënie.

Vetëm dega e shërbimeve ka patur rritje, kjo pasi sezoni turistik shton punësimin në këtë industri dhe përmirëson situatën financiare të operatorëve.

Besimi i konsumatorit vijon të jetë rënie. Qytetarët presin një përkeqësim të situatës financiare ndërsa kanë ulur blerjet dhe janë të orientuar drejt kursimit.

Rënien e indeksit të besimit në ekonomi e paralajmëroi edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, i cili në konferencën për shtyp tha se situata politike ka nisur të prekë edhe klimën e të bërit biznes në vendin tonë.

Tv Klan