Eksportuesi më i madh në botë Aramco është zotuar të rrisë prodhimin në 12 milionë fuçi në ditë

Çmimet e naftës ranë pasi të dhënat e dobëta ekonomike të Kinës shkaktuan shqetësime rreth kërkesës në treg, ndërsa eksportuesi më i madh në botë, kompania e Arabisë Saudite Aramco, bëri thirrje për rritje të prodhimit.

Nafta në bursën amerikane ra me 1,06 dollarësh ose 1,2% duke arritur 91,03 dollarë për fuçi, ndërsa në bursën e Londrës nafta e papërpunuar Brent ra ne 1.14 dollarë, ose 1.2%, në 97.01 dollarë për fuçi.

Ekonomia e Kinës u ngadalësua në korrik, ndërsa prodhimi i rafinerive të vendit ra në 12.53 milionë fuçi në ditë, niveli më i ulët që nga Marsi i vitit 2020, treguan të dhënat e qeverisë.  Ekspertët ekonomikë shprehen se kërkesa për naftë po dobësohet pasi sektori i brendshëm i logjistikës dhe kërkesa e konsumatorit po pengohen nga çmimet e larta rekord të naftës.

Kërkesa për naftë mund të qëndrojë në prirjen e rënies për pjesën tjetër të vitit pasi kërcënimi nga kufizimet e lidhura me pandeminë e COVID-19 në Kinë e redukton konsumin e naftës.

Kompania më e madhe ekspertuese e naftës, Aramco është shprehur e gatshme që të rrisë prodhimin e naftës së papërpunuar duke e çuar në kapacitetin maksimal prej 12 milionë fuçi në ditë, nëse një gjë e tillë kërkohet nga qeveria e Arabisë Saudite.

Çmimet e naftës u rritën me më shumë se 3% javën e kaluar.

Tregjet globale po furnizohen më pak me naftë edhe për shkak të sanksioneve ndaj naftës bruto ruse. 

Më shumë furnizime mund të vijnë nëse Irani dhe Shtetet e Bashkuara pranojnë një ofertë nga Bashkimi Europian për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e cila do të heqë sanksionet ndaj eksporteve të naftës iraniane.

Klan News