Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ndodhet jashtë gjendjes së punës. Sikur të mos mjaftonte situata e vështirë e këtij viti në prodhimin e energjisë elektrike, tatimet kanë bllokuar të gjitha llogaritë e KESH që prej datës 31 Tetor.

Televizion Klan ka siguruar një urdhër që drejtoria e tatimpaguesve të mëdhenj ka dërguar në të 16 bankat shqipatre ku kërkon bllokimin e të gjitha parave të KESH dhe vjeljen e detyrimit 187 milion lekë ose 1.8 milion dollarë. Në shkresën dërguar bankave, tatimet kërkojnë kalimin e kësaj shume brenda 3 ditëve.

Një burim pranë Entit Rregullator të Energjisë thotë se situata financiare e KESH nuk është në gjendje të mirë gjatë 4 viteve të fundit, por në 2017-ën KESH ka marrë edhe goditjen më të madhe për shkak të rënies së prodhimit dhe borxheve që dy ndërmarrjet OSHEE dhe OST kanë ndaj saj. Në total detyrimet e tyre arrijnë në 500 milion dollarë, por deri më sot asgjë nuk është derdhur në llogarinë e korporatës.

Të ardhurat e kompanisë për këtë vit janë 60 milion dollarë dhe të gjitha ndahen në shpenzime për pagat, pagesë për importin e energjisë elektrike, shlyerje interesash kredish dhe dëmshpërblim i të përmbyturve.

Këto para nuk arrijnë dot të mbyllin dot vetë kostot e shoqërisë. KESH ka paguar këtë vit 23 milion dollarë pranë organeve tatimore ku 14 milion kanë qënë taksa të këtij viti dhe 9 milion detyrime të parapmbetura.

Në gjendjen që ndodhet, korporata nuk arrin dot të paguajë pagat e punonjësve dhe furnitorët duke bërë praktikisht të pamundur prodhimin e energjisë.

Tv Klan