E konsideruar si një nga bastionet e pakta miqësore me Moskën mes vendeve të Bashkimit Europian, në Hungari ka sinjale të ndryshimit të kësaj qasjeje një vit para zgjedhjeve parlamentare të radhës.

Piter Magjar, lideri i opozitës figuron përpara Kryeministrit Viktor Orban në disa sondazhe të kohëve të fundit që janë zhvilluar në këtë vend.

Ai ka premtuar se do të zhvillojë një referendum, për të parë nëse hungarezët e mbështesin anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Europian.

Një sondazh i fundit tregon se hungarezët po ndryshojnë mendje për Ukrainën. Për të parën herë, numri i atyre që mbështesin anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Europian është 47%, 1% më i lartë se ata që e kundërshtojnë.

Ky duket edhe si një tregues se qeverisja 15-vjeçarje e Viktor Orbanit, mikut të Vladimir Putinit, por edhe Donald Trump mund të jetë duke ardhur drejt fundit.

Në një tubim të fundit elektoral, kryeopozitari nga qendra e djathtë premtoi se do të zhbllokojë fondet e Bashkimit Europian, që nuk i jepen Kryeministrit aktual i cili akuzohet nga Brukseli se ka devijuar nga rruga e vlerave demokratike europiane dhe po ndjek shembullin e Vladimir Putinit për të ruajtur pushtetin.

Qasja e Orbanit e ka zhytur ekonominë hungareze në krizë.

Tv Klan