Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana, Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe autoriteteve policore italiane, u bë i mundur lokalizimi në Elbasan dhe arrestimi i A. Ç., 48 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan.

Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Reggio Calabrias, Itali, më datë 17.02.2020 i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Trafik narkotikësh” dhe “Organizatë kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

48-vjeçari në bashkëpunim me persona të tjerë, ka trafikuar nga Spanja drejt Italisë, një sasi lënde narkotike të llojit kokainë, me qëllim për ta shitur në Itali.

Arrestimi provizor u krye me qellim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë./tvklan.al