Merkel rezulton negative në testin e parë për koronavirus

Italisë mesa duket po i shfaqet drita në fund të tunelit. Autoritetet konstatojnë rënie të numrit të viktimave dhe të infektimeve të reja. Në 24 orët e fundit humbën jetën 602 persona, duke e çuar në 6077 numrin e përgjithshëm të vdekjeve.

Numri ditor i të vdekurve është në rënie për të dytën ditë radhazi pas të shtunës kur u shënuan prej 793 viktima në një ditë. 3780 janë rastet e reja të infektimit, një shifër më e ulët se dje. Totali i të prekurve tejkaloi 50 mijëshin.

Të shëruarit deri tani numërohen në mbi 7400. Pas Kinës dhe Rusisë, Kuba është vendi i radhës që dërgon ekip mjekësor për të ndihmuar spitalet italiane.

Ndërsa në Spanjë, numri i viktimave u rrit me 462 persona në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin e tyre në afro 2200. Të infektuarit kanë arritur në mbi 33 mijë. Spitalet në Madrid, rajonin me numrin më të lartë të infektimeve, janë tejmbushur dhe pacientët presin të shtrirë në pllaka. Një sallë e madhe ekspozitash po shndërrohet në ambient për akomodimin e pacientëve.

Kancelarja gjermane Angela Merkel rezultoi negative ndaj testit të parë për koronavirus, një ditë pasi u vetëizolua në karantinë pas takimit me mjekun e saj personal, i cili doli pozitiv.

Në Greqi numërohen 71 raste të reja infektimesh në 24 orë, 695 në total, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 17. Ritmi i përhapjes po përshpejtohet edhe në Turqi. Këtë të hënë, numri i viktimave u rrit me 21, duke arritur në 30 në total. Ai i të infektuarve u shtua me 289 pacientë të rinj dhe tashmë llogariten 1256 të prekur, kryesisht në Ankara e Stamboll.

Në Kinë, për të tretën ditë radhazi nuk ka asnjë infektim të ri brenda vendit, ndërsa masat e ashpra të kufizimit të lëvizjeve janë ende në fuqi.

I gjithë globi numëron mbi 15.400 viktima e afro 354 mijë të infektuar prej fillimit të përhapjes, mes të cilëve rreth 28% janë shëruar.

Tv Klan