Fshatrat vuajnë largimin e bluzave të bardha drejt qyteteve

Jo vetëm largimet jashtë vendit, por edhe lëvizjet e bluzave të bardha nga fshati në qytet kanë bërë që në Shqipëri nga viti në vit të ketë një rënie të theksuar të mjekëve dhe infermierëve në zonat rurale.

Në një vlerësim të bërë nga Ministria e Brendshme për Migracionin, vihet re se në harkun kohor të 4 viteve numri i infermierëve në shërbimin parësor në zonat rurale ka rënë me gati 24%, ndërsa ai i mjekëve me 5%.

Shqetësuese për qeverinë është tkurrja e mjekëve të familjes, fenomen që vërehet jo vetëm në fshatra por edhe në zonat urbane.

Nëse në vitin 2021 në qendrat shëndetësore, ambulancat dhe poliklinikat e gjithë vendit kishte 1505 mjekë, në vitin 2022 pati 54 mjekë më pak.

Nga të dhënat e mbulimit shëndetësor, në këto katër vjet në shërbimin parësor vërehet rënie e numrit të mjekëve të familjes. Rënia më e theksuar është në grupimin e mjekëve të zonave rurale, edhe për shkak të prirjes së njëjtë që shfaq edhe popullata e mjekëve për të lëvizur drejt zonave urbane”, thotë Ministria e Brendshme.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht kërkohen rreth 450 infermierë, pjesa më e madhe për në rajonin e Vlorës, pasuar nga Tirana, Elbasani dhe Shkodra që kanë edhe mungesat më të medha.

Për fenomenin tërësor të migracionit në vend, Ministria e Brendshme rekomandon sigurimin e një mjedisi etik të sigurt dhe jodiskriminues punësimi në vend.

Tv Klan