960 pacientë po marrin trajtim spitalor

Për herë të parë pas disa javësh numri i pacientëve me Covid të shtruar në spitalet e Kosovës ka rënë nën 1 mijë.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar njoftoi të dielën se në spitalet dhe klinikat e Kosovës, ku trajtohen pacientët me Covid-19, po marrin trajtim të specializuar mjekësor 960 pacientë.

Por pavarësisht rënies së shtrimeve, numri i pacientëve që janë në oksigjenoterapi është ende i lartë. Sipas të dhënave zyrtare 837 pacientë kanë nevojë për frymëmarje të drejtuar.

Po ashtu i lartë mbetet edhe numri i të shtruave në gjendje të rëndë, pavarësisht se ka një rënie në krahasim me një ditë më parë.

Aktualisht, autoritetet shëndetësore në Kosovë bëjnë të ditur se në gjendje të rëndë janë 56 persona.

Ndërkaq, spitali i Pejës vazhdon të ketë numrin më të lartë të pacientëve, pasi aty po trajtohen 169 pacientë.

Prej disa javësh Kosova po përballet me një situatë të vështirë pandemike, ku rastet e reja dhe fatalitetet kanë pësuar një rritje të ndjeshme. Në vetëm 10 ditët e fundit janë shënuar afro 250 humbje jete, teksa në total numri i viktimave ka shkuar në 2772.

Tv Klan