Popullariteti i Facebookut po bie ndjeshëm në gjithë botën, pas skandalit të shitjes së të dhënave të tyre personale. Këtë e konstaton një anketim i agjencisë Reuters dhe universitetit të Oxfordit.

54% e të anketuarve shprehin shqetësim për keqpërdorimin nga gjiganti i rrjeteve sociale të të dhënave të tyre personale. Më pak se gjysma e përdoruesve kanë besim tek lajmet që shpërndahen përmes Facebookut. Rregullat e shpërndarjes  dhe përzgjedhjes së lajmeve prioritare kanë ndikuar ndjeshëm në humbjen e besimit të përgjithshëm tek Facebook.

Braktisja e Facebookut ka rritur ndjeshëm përdorimin për lajme të rrjeteve të tjera sociale, si aplikacioni i mesazheve Whatsapp, që brenda 4 viteve ka trefishuar përdoruesit, Instagram e Snapçat.

Pjesë e studimit u bënë 74 mijë përdorues nga 37 vende të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara. Në fillim të këtij viti u zbulua se kompania e konsulencës politike Cambridge Analytica kishte përdorur të dhënat e mbi 80 milionë përdoruesve të Facebook, për tu servirur atyre informacione në ndihmë të kandidaturës presidenciale të Donald Trumpit.

Tv Klan