INSTAT: Ekonomia ra me -0.15%

Për herë të parë pas 6 vjetësh rritja ekonomike shënoi rënie në ekonominë shqiptare, për tremujorin e fundit të vitit 2019. Sipas Institutit të Statistikave, në periudhën Tetor-Dhjetor të vitit të shkuar Prodhimi i Brendshëm Bruto u ul me minus 0.15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Aktivitetet që i dhanë goditjen më të madhe ekonomisë së vendit rezultojnë të jenë ndërtimi, i cili u tkurr me 14.7%, bujqësia pësoi një rënie prej 1.6% dhe argëtimi u tkurr me  12.5%.

Të gjithë këto aktivitete lidhen me pasojat që shkaktoi në disa sektorë tërmeti i 26 Nëntorit, ndërsa për degën e aktiviteteve të pasurive të paluajtshme, kjo periudhë ka ndikuar pozitivisht për shkak të kërkesës në rritje për qira.

Në këtë periudhë edhe konsumi i popullsisë u ul krahasuar me një vit më parë, ndërsa rënie pësuan si eksportet edhe importet e vendit. INSTAT thotë se performancën më të mirë në ekonomi e ka patur sektori i industrisë nxjerrëse dhe aktivitetet e shoqërive të sigurimit. Rritja reale e vitit 2019 rezulton 2.21, nga mbi 4% që ishte në 2018-n.

Tv Klan