Shkak, rrëzimi i shtyllës së tensionit të lartë

Dy elektricistë humbën tragjikisht jetën mëngjesin e së martës në Roskovec të Fierit, pasi një shtyllë elektrike e tensionit të lartë u rrëzua papritur. Sipas policisë, bëhet fjalë për Gjergji Dukën, 50 vjeç nga Kuçova dhe Bashkim Saliasin, 64 vjeç, nga Mallakastra.

“Kjo shtyllë e tensionit të lartë, 25 metra, u mori jetën dy elektricistëve, të cilët ishin ngjitur për të shkëputur nga izolatorët kabujt elektrikë. Për shkak të amortizimit, shtylla ka rënë duke mos përballuar peshën e dy punonjësve të cilët gjetën vdekjen nga rënia në lartësi”.

Elektricistët ishin të pajisur me mjetet e sigurisë gjatë punës, por me rrëzimin e shtyllës të dy gjetën vdekjen e menjëhershme. Amortizimi i shtyllave elektrike për shkak të vjetërsisë është një kambanë alarmi dhe për banorët e fshatit Jagodinë.

Ndërkohë policia e Fierit ka marrë marrë në pyetje përgjegjësin e OST, i cili ishte i pranishëm në vendngjarje, ndërsa po heton më tej mbi rrethanat e ngjarjes.

Tv Klan