Policia shoqëron inxhinierin dhe dy punëtore që po punonin në këtë ndërtesë

Skela e një pallati që po ndërtohet nga kompania Arlis sh.p.k në kryeqytet, u rrëzua duke plagosur dy kalimtarë. Ngjarja ndodhi rreth orës 10 të paradites së të hënës në bulevardin “Gjergj Fishta”.

Të moshës 70 dhe 45 vjeç po kalonin në këtë trotuar në zonën e ish-Nëshrakut në momentin kur skela e këtij pallati në ndërtim ra nga lartësia duke u shkaktuar lëndime të shumta.

Hysen Lavdari dhe Imelda Shkëmbi ndodheshin pranë semaforit, në trotuar. Skela u shkëput në katin e dytë dhe elementët e saj goditën dy këmbësorët.

Ata u dërguan menjëherë në spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore. Sipas mjekëve dëmtime më të shumta ka 70-vjeçari Hysen Lavdari, i cili iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale. Gjendja shëndetësore paraqitet e rëndë, ndërsa 45-vjeçarja Imelda Shkëmbi ndodhet jashtë rrezikut për jetën, me parametra të stabilizuara.

Kompania Arlis Sh.p.k po ndërton godinë banimi dhe shërbimi me 11 deri në 14 kate, si dhe me 3 kate parkimi nën tokë. Leja për ndërtimin e objektit është miratuar në 7 Korrik të vitit 2022.

Grupi hetimor pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, shoqëroi në komisariat inxhinierin dhe dy punëtorë. Ata u morën nga policia për tu pyetur lidhur me akuzat e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë.

Klan News