Shenja përmirësimi edhe në Indi

Situata e rëndë e koronavirusit në Indi po jep shenjat e para të lehtësimit. Dy ditët e fundit, infektimet ditore kanë pësuar një rënie të lehtë krahasuar me rekordin e të shtunës, kur u shënuan 400 mijë raste të reja në 24 orë. E njëjta tendencë edhe për shifrat e viktimave, që kanë pësuar rënie pas rekordit të shënuar po të shtunën.

Teksa infektimet vazhdojnë për të 12 ditë me mbi 300 mijë raste, një rekord absolut botëror, gjendja në spitale vazhdon të jetë e rëndë. Për shkak të mungesës së shtretërve dhe oksigjenit bëhet përzgjedhja e pacientëve që kanë më tepër mundësi për të mbijetuar, të cilëve u jepet ndihmë prioritare. Përmirësim i ndjeshëm i situatës edhe në Turqi ku infektimet ditore janë më tepër se përgjysmuar, krahasuar me rekordet e javës së kaluar.

Ashtu si në gjithë Europën, edhe në Greqi po lehtësohen masat dhe nga kjo e Hënë hapen baret dhe restorantet me numër të kufizuar klientësh. Shifrat e infektimeve ditore janë në rënie në gjithë Europën. Spitalet franceze po nisin të marrin frymë. Numri i pacientëve në pavionet e terapisë intensive, prej një jave është në rënie. Të dhënat më të fundit tregojnë se të shtruar në këto pavione janë 5 585 pacientë nga rreth 6 mijë një javë më parë.

Tv Klan