OBSH thirrje për maturi dhe vigjilencë, rrezik mutacionet

Mbarë kontinenti europian shënoi gjatë një muaji rënie me 60 përqind të infektimeve të reja nga Covid-19. Por zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë thanë se ky përparim është i brishtë dhe bënë thirrje për vigjilencë, si nga autoritetet, ashtu edhe nga qytetarët.

Më herët këtë javë vendet anëtare të Bashkimit Europian ranë dakord që të hapin kufijtë e brendshëm për udhëtimet jo të domosdoshme, sidomos nga vendet që kanë normë të ulët infektimi dhe me rrezik të ulët, apo për qytetarët që janë plotësisht të vaksinuar ndaj koronavirusit, me një vaksinë të miratuar nga Rregullatori Europian i Barnave.

Numri i rasteve ditore të raportuar gjatë një jave në Europë ra nga 1.7 milionë në mes të Prillit në 685 mijë javën e kaluar.

Për zyrtarët e shëndetësisë mbeten problem variantet e koronavirusit që vijojnë të përhapen në bllok, sidomos mes njerëzve që marrin pjesë në grumbullime masive publike dhe në sfondin e heqjes së kufizimeve në shumicën e vendeve europiane.

“Ne po shkojmë në drejtimin e duhur, por duhet të vëzhgojmë një virus që ka marrë jetën e gati 1.2 milion njerëzve në këtë rajon. Vaksinat mund të jenë një dritë në fund të tunelit, por ne nuk mund të verbohemi nga kjo dritë”, tha Dr. Hans Kluge, drejtori i OBSh-së për Europën.

Ai paralajmëroi që të bëhet kujdes me udhëtimet dhe u rekomandoi qytetarëve europianë të mos ndërmarrin udhëtime të pangutshme.  

Klan News