Një ngjarje tragjike ndodhi këtë të shtunë në Fushë Arrëz. Një nënë së bashku me dy vajza e saj adoleshente humbën jetën pasi ranë në kontakt me energjinë elektrike.

Burime paraprake për gazetaren Emi Kalaja thonë se njëra nga vajzat ishte në dush dhe ra në kontakt me energjinë. Nëna shkoi për ndihmë së bashku me vajzën tjetër, por edhe ato ranë në kontakt me rrymën. Po sipas gazetares, viktimat e familjes Kola janë të moshës 16, 19 dhe 43 vjeçe.

Rreth orës 16:50, në qytet Fushë Arrëz, në një banesë, janë gjetur pa shenja jete shtetaset, P. K. 43 vjeçe, S. K. 19 vjeçe dhe E. K. 16 vjeçe (nëna me dy vajzat) banuese në Fushë Arrëz. Nga veprimet hetimore paraprake, dyshohet se kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike. Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, tha Policia e Shkodrës në një informacion paraprak për ngjarjen./tvklan.al