Edhe ky Bajram, si shumë të tjerë më parë po mbyllet me një “bilanc lufte” në Turqi, ku miliona njerëz lëvizin për nga qytetet ku punojnë për në vendet e tyre të origjinës.

Sipas agjencisë së lajmeve “DHA”, kur ka mbetur edhe një ditë nga përfundimi i pushimeve të Bajramit në Turqi, tashmë kanë humbur jetën 98 persona në aksidente.

Sipas medias, në vend kanë ndodhur 142 aksidente dhe përveç atyre që humbën jetën, kanë mbetur të plagosur edhe 423 persona të tjerë.

Qeveria turke, me anë të një vendimi të posatshëm, në përpjekje për t’i dhënë një frymëmarrje edhe turizmit në vend, pushimet e Bajramit që zgjasin katër ditë, i bashkoi me festën Kombëtare të Fitores dhe sëbashku me fundjava shpalli pushim 10 ditë.

Nga ora 18:00 e ditës 25 Gusht deri më 3 shtator në orën 16:00 raportohet se kanë ndodhur 142 aksidente me 98 të vdekur. Eksiton frika se bilanci mund të rritet në ditën e fundit të pushimeve, kur edhe udhëtarët do të kthehen në vendet e tyre të punës.

Miliona njerëz që punojnë në qytetet e mëdha të Ankarasë, Stambollit dhe Izmirit besohet se udhëtojnë për të shkuar pranë familjeve të tyre me rastin e festës së Bajramit. /tvklan.al