Java e fundit rezulton me një bilanc negativ sa i përket aksidenteve rrugore. Nga data 10 Maj, janë regjistruar 44 ngjarje rrugore, duke shkaktuar vdekjen e 5 persona dhe plagosjen e 47 të tjerëve.

Aksidenti i fundit me pasoja ndodhi në kryeqytet, ku mbeti i vdekur 33-vjeçari Redi Karreci. I riu po udhëtonte me automjetin e tij tip Alfa Romeo kur ka humbur kontrollin dhe është përplasur në rrugën “Sulejman Delvina”. Grupi hetimor ka dyshime se viktima po udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara në momentin kur ka humbur kontrollin e makinës dhe është përplasur me trafikndarësen.

Nisur nga situata policia rrugore, ka shtuar kontrollet ku gjatë javës së fundit janë ndëshkuar rreth 11 mijë drejtues mjetesh. Ata janë konstatuar me shkelje, për shpejtësi tej normave, përdorim telefoni, pa rrip sigurimi dhe parakalime të gabuara. Numrin më të lartë të gjobave e mbajnë shoferët që u kapën nën efektin e alkoolit. Efektivët mësohet se kanë arrestuar në flagrancë 51 persona 21 në gjendje të dehur dhe 30 pa lejë drejtimi.

Prej nisjes së muajit Maj, janë shkaktuar 76 aksidente, me 6 të vrarë, 6 të plagosur rëndë dhe 90 të cilët kanë marrë plagë më të lehta.

Klan News