Më datë 11 Tetor të vitit 2001 kryetari i Bashkisë , Edi Rama ka qenë i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

Gjatë intervistës së tij ai ka bërë një bilanc të punës së tij pas një viti në krye të Bashkisë. Si pjesë e programit ende e parealizuar, sipas Ramës ka të bëjë me shërbimin ndaj njerëzve. Sipas tij bashkia ende është “borxhlie” ndaj qytetarëve që nuk gjejnë shërbimin e duhur në Bashki.

“Nuk po e nis me punën e bërë ashtu siç bëjnë të gjithë sepse nuk shquhem që bëj gjëra ashtu siç bëjnë gjithë të tjerët. Do të thosha që ka ende gjëra të parealizuara, por që nuk janë premtime të pa mbajtura sepse premtimet janë dhënë në kuadrin e një programi dhe programi kërkon 3 vjet kohë dhe jo një vit. Si pjesë e programit ende e parealizuar, do të përqëndrohesha në pjesën që ka të bëjë me shërbimin ndaj njerëzve. Në një vit ne kemi bërë mjaft punë të mira, por vazhdojmë t’i mbetemi borxhli qytetarëve që vijnë në Bashki për punët e tyre të përditshme dhe ende nuk gjejnë shërbimin e duhur. Me këtë rast unë do t’i kërkoja ndjesë atyre që kanë humbur kohë për të marrë qoftë edhe një certifikatë. Duke qenë pjesë e një programi që ka në qendër shërbimin ndaj qytetarëve, ne jemi duke bërë një sallë moderne ku të gjitha kërkesat dhe ankesat e qytetarëve do të regjistrohen dhe do të marrin përgjigje. Brenda një kohe jo shumë të gjatë do të arrijmë të ofrojmë shërbim mjaft cilësor. Lidhur me trotuaret dhe rrugët për të cilat ishte premtuar një afat kohor dhe ende nuk kanë mbaruar mund të them që ne nuk mund të mbyllim sytë përpara mungesës së cilësisë. Jemi duke punuar me cilësi në mënyrë që trotuaret dhe rrugët të mos prishen për një vit. Jemi brenda afatit për rrugën në Myslym Shyr, jemi brenda afatit për Rrugën e Kavajës, por nuk jemi brenda afatit për Rrugën e Durrësit që është një projekt që realizohet me katër firma private dhe ka kërkuar kohën e vet, por është thuajse në përfundim. Por ne jemi në kohë në kuadër të angazhimeve që kemi marrë”,tha Rama.