Viti që po mbyllim ka qënë një vit i mbushur plot ngjarje për punonjësit e Rendit. Të lodhur, të varfër ndonjeherë dhe të gënjyer, policët kanë mbyllur një vit plot stres por dhe me dhimbje. Jo pak por 19 djem, efektiva të policisë kanë rënë në krye të detyrës në harkun kohor të këtij viti.

Policisë në këtë vit i është dashur të përballet me krime të rënda si vrasje, grabitje personash, vjedhje të pasurisë, kërcënime, sulme ndaj komisariateve dhe banesave e deri në vrasje të politikanëve. Një sukses për Forcat e Policisë ishte se ditën të shmangin gjakderdhje në momentet më të ndezura të historisë së këtij viti.

Edhe pse me mungesa të shumta logjistike, policia ka qënë gjithmonë e gatshme të ndërhyjë në shpëtimin e jetëve të rrezikuara. Madje kanë pranuar të japin dhe jetën në luftën kundër krimit dhe kriminelëve. Nga 17 persona të rrëmbyer. 16 prej tyre janë kthyer shëndoshë e mirë në familjet e tyre dhe kjo vetëm pas punës së mirë së policisë. Edhe pse jeta e tyre është në rrezik në çdo moment, ata janë të gatshëm të ndihmojnë çdo qytetar pavarësisht kushteve të punës dhe pagës që ofron policia./tvklan.al

Gazetar : Eduart Frangaj