Në fjalimin e tij Kryeministri Pandeli Majko ka vlerësuar si arritje të Qeverisë së tij në këto tre muaj, miratimin e Kushtetutës, mbështetjen ndërkombëtare në Konferencën e 30 Tetorit si dhe takimin me liderin e Opozitës Sali Berisha.

” Për kabinetin tonë, matës për çdo Ministri dhe ministër do të jetë puna dhe jo përkatësia. Puna jonë do të jetë e inspiruar jo nga përkohëshmëria por nga vullneti për të realizuar detyrat, programin e një qeverie që ka mandatin e votës së lirë për të qeverisur. Koncepti i përkohëshmërisë vetëm dëmton. Ndryshimet qeveritare janë pjesë e mënyrës së drejtimit të një shteti, por ato nuk do të bëhen as për hatër të dëshirave të individëve apo interesave të veçanta, por në interes të mbarëvajtjes së qeverisjes së vendit. Me këtë rast e shoh të domosdoshme të sqaroj se si Kryeminister aktualisht nuk kam ndërmend të ngre problemin e ndryshimeve qeveritare.
Në këtë periudhë u arrit që politika shqiptare të ulej realisht në tryezën e dialogut. E konsideroj takimin me Opozitën një sukses për zhvillimet demokratike në vendin tonë, për vendosjen e një normaliteti në zhvillimet politike dhe natyrisht në vendosjen e një baze për të perfeksionuar kulturën dhe etikën politike shqiptare.”


Ndër prioritetet e qeverisë së tij për muajt e ardhshëm Majko permendi: Reforma administrative, pavarësia e pushteteve e në radhë të parë e atij gjyqësor, lufta kundër korrupsionit, kundër kontrabandës dhe sidomos strukturave shqiptare të krimit të organizuar. Qeveria do të vazhdojë politikën e rritjes së pagave dhe pensioneve, por jo në kurriz të buxhetit të shtetit, pra edhe të zhvillimit perspektiv të ekonomisë kombëtare.


Duke u ndalur në çeshtjen e Kosovës Majko kërkoi unifikimin e faktorit shqiptar dhe ndërhyrjen e NATO-s. “Në të kundertën askush nuk mund të garantojë që në pranverën e ardhshme Kosova nuk do të përfshihet nga luftime të reja edhe më të pergjakshme.”

Në përfundim të bilancit tremujor të Qeverisë, Kryeministri Majko theksoi: “Siguroj në emër të Qeverisë gjithë opinionin publik shqiptar për vendosmërinë në vazhdimin e reformës dhe goditjen e çdo forme antishtetërore që do të shfaqet në terrenin shqiptar. Sot janë të gjitha mundësitë që të punohet për përparimin e vendit, për stabilizimin e tij dhe për përgatitjen që viti 2000 të jetë për shqiptarët, jo një vit i pikëpyetjeve dhe i “llafazanlleqëve” politike, por një vit i perspektivave të zhvillimit, përparimit dhe i afirmimit të atyre parimeve që shqiptarët në breza i kanë ëndërruar dhe reflektuar sigurisht.”/tvklan.al

Gazetar : Vladimir Lame