Artikullit të tabloidit gjerman “Bild” se Italia është duke bërë përgatitjet për një skenar të mundshëm të tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova i është përgjigjur misioni paqeruajtës i NATO’s në Kosovë, KFOR.
Zyra për informim e KFOR-it në një përgjigje për TV Klan ka thënë se zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës Veriatlantike.
“Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës, përfshirë praninë e SHBA-së në Evropë dhe se parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s duhet të mbeten të fuqishme. Si pjesë e kësaj, SHBA e ka bërë të qartë gjithashtu pritshmëritë e saj që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë, të investojnë më shumë dhe të prodhojnë më shumë në mbështetje të sigurisë sonë të përbashkët”, deklaron KFOR.
Sipas tyre angazhimi për stabilitet në Ballkanin Perëndimor është i palëkundur.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor brenda KFOR-it, përmes kontributit të saj të gjatë, i cili aktualisht arrin në mbi 600 trupa”, thuhet në përgjigjen e KFOR.
Tabloidi gjerman ‘Bild’ nëpërmjet burimeve të informacionit ka shkruar se Italia po përgatitet edhe për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova. Sipas artikullit atëherë aleatët evropianë do të ishin të vetëm në Ballkan kundër mikut të Putinit, Aleksandar Vuçiç, si dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”.
Tv Klan