Autoritetet refuzojnë të japin sqarime për të dhënat

Nga 19 Marsi deri në 1 Qershor në Serbi kanë humbur jetën 632 persona të testuar pozitivisht për koronavirusin, 2 herë më shumë se numri zyrtar 244 i vdekjeve të shpallura në këtë periudhë.

Është një investigim i BIRN që ka zbuluar mospërputhjen e shifrave duke analizuar të dhënat e marra nga sistemi shtetëror i informacionit të Covid-19. Një tjetër e dhënë tregon se numri i njerëzve që u infektuan në Serbi nga 17 deri në 20 qershor ishte të paktën 300 në ditë ndërsa zyrtarisht u raportuan maksimumi 97 raste.

Sipas të njëjtave burime fshehja më e madhe e shifrave ka ndodhur në Qendrën Klinike në Nish, qytetin serb në jug të Serbisë ku sipas të dhënave zyrtare kanë humbur jetën 77 pacientë ndërsa nga të dhënat që publikon BIRN flitet për 243 jetë të humbura.

I njëjti fenomen ka ndodhur edhe në qendrat e Beogradit ku gjithashtu ka mospërputhje shifrash. Pasi u vendos gjendja e jashtëzakonshme më 15 mars në Serbi, autoritetet mbanin konferenca të përditshme për të përditësuar shifrat, por me heqjen e saj në 6 maj konferencat u ndërprenë.

BIRN u kërkoi shpjegim autoriteteve për këtë mospërputhje të shifrave, por tha se iu dorëzuan vetëm të dhënat zyrtare pa ndonjë arsyetim tjetër. Instituti që publikon shifrat refuzoi të takonte gazetarët ndërsa i pyetur për këtë çështje Presidenti Vuçiç tha se Serbia nuk e ka fshehur numrin e vdekjeve pasi sipas tij këta persona kanë humbur jetën nga shkaqe të tjera dhe jo nga koronavirusi.

Tv Klan