Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë goditur një grup kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe vrasje.

Prokuroria Themelore kundër Krimit të Organizuar në Shkup ka lëshuar 16 urdhër-arreste pas hetimeve të kryera prej disa muajsh dhe analizimit të bisedave në aplikacionin e koduar “SKY”, që është zbërthyer nga agjenci ligjzbatuese të huaja.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut, në mesin e ngjarjeve kriminale të zbardhura, është edhe vrasja e shqiptarit nga Kavaja Riku Beu 35 vjeç, trupi i të cilit u gjet i groposur më 15 Maj 2020 në fshatin Matkë e Epërme të Shkupit.

Këtë histori e ka trajtuar gjerësisht emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus në vitin 2020, përmes disa puntatave. Trupi që në atë kohë dyshohej se i përkiste një shqiptari nga Kavaja, u arrit të provohej nga emisioni Uniko përmes analizave të ADN-së se ishte i 35-vjeçarit Riku Beu. Që në atë kohë, dyshimet u ngritën se shqiptari ishte vrarë për çështje të trafikut të drogës, e së fundmi, autoritetet maqedonase kanë pohuar se kjo vrasje dhe të tjera kanë ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të trafikut të narkotikëve.

Organizata kriminale në Maqedoninë e Veriut, sipas Ministrisë së Brendshme, ishte krijuar fillimisht nga 3 persona në vitin 2019, 2 prej të cilëve sot nuk jetojnë më, e më pas u bënë anëtarë një numër i madh.

Kjo organizatë trafikonte kokainë nga vendet e Amerikës Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian, por një pjesë e saj ishte e destinuar edhe për në tregun maqedonas.

Konfliktet për çështje të trafikut të lëndëve narkotike, besohet se i kanë marrë jetën edhe shqiptarit Riku Beu, trupi i të cilit u gjet i groposur në periferi të Shkupit.

“Si rezultat i hetimeve dhe të dhënave të marra, janë siguruar provat se organizatori i grupit kriminal SH.M., së bashku me anëtarët e grupit kanë organizuar dhe kanë  vrarë një person nga fshati Bardovcë, vrasjen e një shtetasi të Shqipërisë trupi i të cilit u gjet më 15 maj 2020 në fshatin Matkë e Epërme të Shkupit”, thuhet në njoftimin zyrtar, referuar rastit të Riku Beut.


Uniko – Ekskluzive: Zhdukja e shqiptarit Riku Beu dhe kufoma e gjetur në Shkup!


Uniko -Rikun e tradhtuan- dëshmia që mund të zbardhë të vërtetën e zhdukjes së shqiptarit


Uniko – Dëshmia e re nga Elbasani për zhdukjen e Riku Beut


Uniko – A u vra Riku Beu? Zbulohet zyrtarisht e vërteta!


NJOFTIMI I MINISTRISË SË BRENDSHME TË MAQEDONISË SË VERIUT:

Byroja për Siguri Publike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ASN-së, nën udhëheqjen e Prokurorisë Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Shkup, kurse me përkrahjen e Evropl-it dhe Ekipit të përbashkët hetues LIMIT të vendeve anëtare, Francë, Begjikë dhe Holandë, ndërmorën masa dhe aktivitete të koordinuara me qëllim të privimit nga liria të personave për të cilët ekzistojnë dyshime se kanë organizuar furnizimin e drogës narkotike kokainë dhe kryerjen e veprave të rënda penale-vrasje.

Aktivitetet e sotme të nëpunësve policorë të Byrosë për Siguri Publike janë rezultat i hetimit disa mujor të udhëhequr nga prokuror publik të Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në kuadër të së cilës janë siguruar një numër i madh i dëshmive se në periudhën kohore nga muaji dhjetor 2019 deri më mars të vitit 2021, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, i denoncuari SH.M.(46) nga fshati Gërçec, së bashku edhe me dy persona, tani më të ndjerët O.B. dhe J.K., kanë organizuar grup kriminal, anëtarë të të cilit u bënë më shumë persona.

Grupi i organizuar kriminal është formuar me qëllimin kryerjen e veprave penale vrasje nga hakmarrja e paskrupullt dhe me porosi nga përfitimet, gjatë së cilave personat organizatorë të të njëjtit kanë sjellur vendime dhe kanë hartuar plane për atë se cili, kur, ku dhe në cilën mënyrë të privohet nga jeta kurse vendimet dhe planet e tyre i zbatonin personalisht ose nëpërmjet anëtarëve të grupit të organizuar kriminal, të cilët i pranonin dhe i zbatonin.

Gjithashtu, ky grup i organizuar kriminal që vepronte në nivel ndërkombëtar, organizoi prokurimin e lëndës narkotike kokainë nga vendet e Amerikës së Jugut, në radhë të parë nga Kolumbia, Ekuadori, Brazili, Peruja dhe Bolivia, transferimin e saj në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe një pjesë e saj ishte e destinuar për tregun e drogës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ky grup kriminal planet dhe marrëveshjet për kryerjen e krimeve i bënte nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta ose nëpërmjet telefonave të koduar në të cilët kishte instaluar aplikacioni “SKY”, i cili përdorej nga anëtarët e grupit të organizuar kriminal.

Nga masat e deritanishme të zbatuara është konstatuar dhe dokumentuar se ky grup i organizuar kriminal, në periudhën e sipërpërmendur, ka organizuar dy blerje dhe transporte të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonia e Veriut, edhe atë:

-Transportimi i 435 kilogramëve të lëndës narkotike kokainë e blerë nga grupi në Brazil, Amerika e Jugut dhe e njëjta është transportuar me ujë në portin e Antverpen, Mbretëria e Belgjikës, sasia e së cilës u sekuestrua nga doganierët në Antverpen, një pjesë e së cilës duhej të përfundonte në tregun ilegal në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

-Transporti i 106 kilogramëve të drogës narkotike kokainë që ka mbërritur nga Peruja në Roterdam të Holandës dhe pas mbërritjes në portin e Roterdamit një pjesë e saj është dashur të transportohet në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Grupi i organizuar kriminal organizoi edhe disa transporte të kokainës nga Belgjika në RMV, si dhe nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në një rast është organizuar transferimi i gjashtë kilogramëve lëndë narkotike kokainë nga Belgjika për në RMV, në dy raste është organizuar transferimi i katër kilogramëve të kokainës dhe në një rast është organizuar transportimi i një kilogrami të lëndës narkotike kokainë nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal, i cili vepronte jo vetëm në nivel nacional, por edhe ndërkombëtar dhe si rezultat i aktiviteteve të tyre kriminale lidhur me tregtinë e paligjshme të drogave narkotike, fituan burime të konsiderueshme financiare, të cilat i investuan në ndërtimin e shtëpive luksoze, blerjen e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimin e objekteve hotelierike luksoze, të cilat do të jenë objekt i hetimeve financiare me qëllim konfiskimin e tyre.

Si rezultat i hetimeve dhe të dhënave të marra, janë siguruar provat se organizatori i grupit kriminal SH.M., së bashku me anëtarët e grupit kanë organizuar dhe kanë  vrarë një person nga fshati Bardovcë, vrasjen e një shtetasi të Shqipërisë trupi i të cilit u gjet më 15 maj 2020 në fshatin Matkë e Epërme të Shkupit dhe vrasja e dyfishtë e ndodhur më 5 mars 2021, kur në Shkup u vranë A.B. dhe B.V.

Në këtë mënyrë organizatorët dhe anëtarët e grupit kanë kryer më shumë vepra penale të parapara dhe të dënueshme në pajtim me Kodin Penal, bëhet fjalë për veprat penale “prodhim i palejuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve, vrasje dhe tentativë për vrasje”, për të cilën gjatë ditës së sotme deri te PTHP për NKOK do të parashtrohet kallëzim penal ndaj 16 personave, përkatësisht SH.M. (46), D.I (50), F.B. (45), B.A. (44), R.S. (41), S.A. (44), M.Ç. (27), S.S. (36), SH.A. (27), SH.B. (20), N.I. (44), E.I (25), F.S. (43), SH.S. (40), M.D. (41) dhe O.P. (43).

Si rezultat i aktiviteteve të sotme dhe bastisjeve të kryera në 20 lokacione në Shkup, f. Gërçec dhe vende të tjera, gjashtë nga të denoncuarit janë privuar nga liria, disa nga të denoncuarit janë duke qëndruar jashtë RMV-së për një kohë më të gjatë, ndërsa një person R.S. (42) tashmë është i privuar nga liria në Spanjë. Gjatë kontrolleve u sekuestruan një sasi e madhe e të hollave, makina luksoze etj.

Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me PTHP për NKOK, pas lëshimit të urdhër-arresteve për personat që ndodhen jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të ndërmarrin masa të koordinuara me mbështetjen e EUROPOL-it me qëllim të privimit të tyre nga liria.

Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë me aktivitetet edhe në periudhën e ardhshme me qëllim të vërtetimit të krimeve të tjera të kryera nga ky grup kriminal, si dhe nga bashkëpunëtorët e tjerë kriminalë.

/tvklan.al