Pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se i dërgoi një letër liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, duke kërkuar një marrëveshje të re me Teheranin për të frenuar programin e tij bërthamor, Irani e ka mohuar një gjë të tillë.

Një zëdhënës i ambasadës së Iranit konfirmoi se nuk kanë marrë një letër të tillë deri më tani.

“Më mirë do të negocioja një marrëveshje. Nuk jam i sigurt se të gjithë janë dakord me mua, por ne mund të bëjmë një marrëveshje që do të ishte po aq e mirë sikur të fitonit ushtarakisht. Koha po vjen. Diçka do të ndodhë në një mënyrë ose në tjetrën”, deklaroi Trump.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi hodhi poshtë mundësinë e negociatave bërthamore me SHBA-në nëse Teherani mbetet ende nën sanksione të rënda nga Uashingtoni.

“Ne nuk do të hyjmë në asnjë negociatë të drejtpërdrejtë me SHBA-në për sa kohë që ato vazhdojnë politikën e presionit maksimal dhe kërcënimet e tyre”, tha Araghchi. 

Administrata Trump ka rivendosur sanksionet kundër Iranit duke përfshirë sektorin e naftës të vendit si pjesë e politikës së tij për të dëmtuar ekonominë iraniane.

Khamenei në një fjalim gushtin e kaluar hapi derën për bisedimet me SHBA-në.

Kjo erdhi pasi Irani zgjodhi Presidentin Masoud Pezeshkian në qershor, i cili bëri fushatë me premtimet për të negociuar një marrëveshje të re me fuqitë botërore, të ngjashme me marrëveshjen e vendit të vitit 2015, nga e cila Trump u tërhoq në 2018.

Klan News