Roma është bërë “kryeqyteti i paqes dhe i dialogut”. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm italian Tajani ndërsa aty mbahen bisedimet për programin bërthamor mes Iranit dhe delegacionit amerikan.

Diskutimet po zhvillohen në ambasadën e Omanit në Romë. Ministri i Jashtëm i Iranit Abas Araghchi u bëri thirrje “të gjitha palëve të përfshira në bisedime të shfrytëzojnë mundësinë për të arritur një marrëveshje të arsyeshme dhe logjike “.

Bisedimet në Itali gjatë fundjavës së Pashkëve udhëhiqen nga Steve Witkoff, i dërguari i Presidentit Donald Trump në Lindjen e Mesme, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe ndërmjetësohet nga Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr al-Busaidi. Teherani kërkon sqarime mbi pozicionin e SHBA-së për programin bërthamor të Iranit dhe të dyja palët po synojnë të krijojnë një afat kohor për të çuar përpara bisedimet e mëtejshme.

Në Romë ndodhet edhe kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi. Megjithatë, arritja e një marrëveshjeje nuk ka gjasa të arrihet këtë fundjavë midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Mehrdad Khonsari një ish-diplomat iranian paralajmëron për sulme ushtarake kundër vendeve bërthamore iraniane dhe “ndoshta ndonjë infrastrukturë tjetër” nëse negociatat dështojnë.

Klan News