Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se bisedimet ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës, lidhur me çështjet e sigurisë do të mbahen pasi të përfundojnë festat në Rusi. Duke folur në një program televiziv, Lavrov tha se “Moska do të zhvillojë një raund të gjerë bisedimesh për sigurinë me Shtetet e Bashkuara, menjëherë pas përfundimit të festave të Vitit të Ri”.

Rusia feston Krishtlindjen Ortodokse më 7 Janar, që nënkupton se festa do të jetë deri më 10 janar.

Komentet e Lavrovit erdhën pas rritjes së tensioneve ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit për shkak të dislokimit masiv të trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën dhe kërkesave të Kremlinit që NATO-ja të mos zgjerohet më në lindje.

Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë konferencës vjetore me gazetarë, i bëri thirrje Perëndimit që të pranojë “menjëherë” kërkesat ruse dhe përmendi një sërë ankesash karshi Ukrainës dhe NATO-s.

Ndërkaq, më 26 Dhjetor, në një intervistë të publikuar nga transmetuesi shtetëror rus, Putin tha se Rusia po shqyrton disa opsione nëse Perëndimi nuk plotëson kërkesat. Ai nuk dha detaje se cilat janë këto opsione, por shtoi se “do të varet nga propozimet që do të japin ekspertët ushtarakë”.

Ministri i Jashtëm Lavrov tha po ashtu se Rusia dëshiron që në bisedimet eventuale me NATO-n të përfshihen zyrtarët ushtarakë dhe kritikoi Aleancën, duke përsëritur qëndrimin se Moska nuk mund të qëndrojë indiference ndaj, siç tha ai, agresionit të NATO-s në afërsi të Rusisë.

“NATO tani është projekt i pastër gjeopolitik për të zhvilluar një territor që ka mbetur pa pronar që prej zhdukjes së (Organizatës) Paktit të Varshavës dhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Kjo është ajo që ata po bëjnë”, tha Lavrov.

Komentet e Lavrovit erdhën një ditë pasi Ministria e Jashtme ruse pranoi se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, JensStoltenberg ka propozuar që të mbahet një takim më 12 janar i Këshillit NATO-Rusi. Kremlini ende nuk ka treguar nëse do të marrë pjesë në këtë takim.

Klan News