Ekspertët: Kosto të larta, këtë vit duhet të rikuperohemi

Nisja e vitit 2021 ka rritur faturën e kostove për biznesin, bashkë me implementimin e procesit të fiskalizimit. Kompanitë që kanë marrëdhënie me institucionet publike, janë të detyruara që të instalojnë softëarin e ri, të mirëmbajnë pajisjen dhe të paguajnë certifikatën elektronike.

Artur Papajani, ekspert në fushën e kontabilitetit, sqaron se kostot për këtë proces variojnë nga 147 Euro për ata që do të përshtatin kasën fiskale me sistemin e ri, në 312 Euro për ndërmarrjet që instalojnë softëarin në kompjuter, e deri në 792 Euro për bizneset e mëdha.

“Kostot janë të larta, sidomos për biznesin e mesëm dhe të madh. Kërkohet një pajisje kompjuteri enkas për këtë, shërbim me internet, mirëmbajtje, certefikatë elektronike”.

Për këtë arsye, bizneset kërkojnë që zbatimi i procesit të fiskalizimit të pezullohet këtë vit, në mënyrë që të mos rriten më shumë kostot për ta, pas një viti të vështirë financiar siç ishte 2020.  Në Korrik dhe Shtator, kjo platformë do të shtrihet edhe në marrëdhëniet biznes me biznes, dhe biznes me konsumator.

“Meqënëse jemi një vit pas pandemisë, ku bizneset kanë qenë të goditura, kompanitë kërkojnë që fiskalizimi të shtyhet, të pezullohet për këtë vit, në mënyrë që të arrihet të rikuperohen humbjet dhe mos rriten kostot për ta”.

Ekspertët e fushës tatimore kërkojnë që edhe udhëzimi që rregullon zbatimin nga ana e kompanive të procesit të fiskalizimit të ndryshojë, pasi organet shtetërore nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për defektet që mund të ndodhin nga vetë sistemi, ndërsa bizneset penalizohen me gjoba, siç mund të jetë rasti i ndërprerjes së shërbimit të internetit.

Tv Klan