Denaj: Kemi ulur stokun dhe ditët e vonesave, në 2022 rimbursim automatik

Bizneset kërkojnë që qeveria të bëjë të zbatueshme sa më parë platformën për të marrë në mënyrë automatike rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar. Gjatë një interpelance me ministren e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, sipërmarrjet thanë se në shumë raste vonesat në dhënien e kësaj pagese krijojnë vështirësi në likuiditet, sidomos gjatë situatës së pandemisë ku të ardhurat janë tkurrur.

Ata arritën të marrin një premtim për përgjysmimin e ditëve të marrjes së rimbursimit dhe nisjes së automatizimit të këtij sistemi në vitin 2022.

“Ne kemi ulur në gjysmë numrin e ditëve nga 170 në 80 dhe duam ta ulim, synojmë dhe ta çojmë në rimbursim automatik. Po punojmë me sistemet dhe po reduktojmë kontrollet.”

Me rimbursimin automatik bizneset që nuk konsiderohen me risk do të marrin pagesën për TVSH-në e prapambetur nga sistemi dhe duke shmangur kontrollet. Kontrollet do të mbeten për kategoritë që kanë një historik abuzimesh me administratën tatimore.

“Ka nevojë dhe për kontroll fizik sepse ka patur raste abuzimesh dhe fiktivitetesh dhe na çon në situata që na detyron të kontrollojmë.”

Qeveria i qëndron angazhimit për të çuar në zero stokun e TVSH-së së parimbursuar, e cila aktualisht kap vlerën 98 milion dollarë. Me shlyerjen e kësaj shume, tatimet nuk do të lidhin më marrëveshje për shlyerjen me këste për shuma me vlerë mbi 150 milion Lekë. Aktualisht po punohet që aplikimi për marrjen e TVSH-së të bëhet tërësisht online.

Tv Klan