“Është rast unik në Europë, na rëndohen kostot”

Bizneset eksportuese të Shqipërisë shprehen se nuk janë lajmëruar për vendimin e beftë të autoriteteve greke për të bllokuar kalimin e mallrave në pikën kufitare të Kapshticës. Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Industrisë Ushqimore thotë se kostot e pritjes janë të larta, ndërsa ndryshimi i rrugës për kamionët rëndon faturën financiare për ta.

“Është bërë pa na lajmëruar dhe është në vendim që na shqetëson, sepse lejimi i vetëm një pike krijon radhë mbi të gjitha.”

Sipërmarrësit e shohin këtë rast si unik në Europë, pasi kalimi i mallrave lejohet në çdo shtet, madje që në fillim të pandemisë.

“Edhe në fillim të pandemisë mallrat janë lejuar, ky është një rast unik në Europë, sepse nuk e ka bërë ndonjë shtet tjetër. Na rëndon kostot e rrugëve dhe arritjen e mallit në kohën e duhur në destinacion.”

Ata thonë se në shumë shtete për drejtuesit e kamionëve nuk kërkohet as testi Covid-negativ.

“Në shumë vende nuk na kërkohet as tampon, sepse një shofer nuk del nga mjeti, konsumon aty dhe nuk ka kontakte.”

Shumë kamionë që duhet të ndryshojnë rrugën dhe të kalojnë përmes pikës së Kakavijës do t’i duhen ditë për të arritur në destinacion, pasi një pjesë e tyre kalojnë më shkurt përmes Selanikut për në Bullgari dhe Turqi.

Tv Klan