Dorëzojnë lumë ankesash tek Ministria e Sipërmarrjes

Lumë ankesash kanë drejtuar bizneset pranë Ministrisë së Sipërmarrjes për problemet që kanë me institucione të ndryshme.

Hallet që kanë duken të shumëllojshme. Ka subjekte që ankohet në lidhje me ashpërsimin e dënimeve për sigurinë ushqimore, kur nuk krijohen kushte te përshtatshme nga qeveria për përmirësimin e këtyre produkteve.  Ka biznese që kërkojnë mbrojtjen e të drejtës së ekskluzivitetit si dhe moscenimin e sigurisë ushqimore. Ankesa ka për shërbimet në dogana ku pretendohet se ka pasur veprime arbitrare në lidhje me rivlerësimin e deklaratave doganore. Po ashtu bizneset shohin me shqetësim  penalitetet e larta që vendosen nga administrata tatimore.

Ka nga ata që problemin e kanë tek rruga pasi pengon aksesin drejt biznesit të tij.

Ka nga ata që ankohen për faturim të pasaktë të energjisë elektrike, apo për ndërprerjet e energjisë që ndikojnë funksionalitetin e fabrikës.

Ka edhe raste të veçanta ku subjekti ankohet në lidhje me një gjobë vendosur kundrejt një NIPT- i pasiv, administratori i të cilit ka vdekur.

Në total numri i ankesave shkon në 86, dhe ende nuk kanë marrë zgjidhje të gjitha. Qershori shënon numrin më të lartë të shqetësimeve të ngritura pasi në muajt e mëparshëm paraqiteshin mesatarisht 30 ankesa pranë Ministrisë së Sipërmarrjes.

Klan Plus