Drejtoritë e ujësjellësve janë duke bashkëpunuar me organet tatimore për të marrë të dhëna mbi bizneset e mëdhenj, konsumatorë të ujit, por që nuk e paguajnë atë dhe kanë lidhje të paligjshme. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri tha se fillimisht aksioni do të nisë kontrollin për kategoritë e sipërmarrësve dhe çdo lidhje e paligjshme që do të gjendet pas datës 1 Shkurt, do të kallëzohet penalisht.

“Fokusi kryesor në fillim do të jetë tek bizneset, po evidentohen dhe po bëhen edhe shkëmbime të dhënash me organet tatimore dhe me strukturat e tjera që kanë të dhëna nga bizneset për të parë konsumatorët e mëdhenj të ujit, të cilët fatkeqësisht janë debitorë apo shpërdorues. Kush shpërdoron ujin dhe lidhet në mënyrë të paligjshme do të ndëshkohet ligjërisht”.

Qeveria do të vijojë reformën në sektorin e ujit, njësoj siç veproi me atë të energjisë elektrike, ku rezultatet financiare do të përkthehen në investime për të rritur orët e furnizimit.

“Uji ka qenë një mall që fatkeqësisht është shpërdoruar në Shqipëri. Që qytetarët shqiptarë të kenë më shumë investime në ujësjellës-kanalizime, patjetër që duhet të kenë një disiplinë shumë më të fortë financiare në sektorin e ujit, ashtu siç bëmë edhe me energjinë elektrike”.

Ministria e Infrastrukturës është duke hartuar një ligj të ri për funksionimin e sektorit të ujësjellësve, ku do të ketë sanksione për bashkitë që nuk arrijnë performancën e uljeve të humbjeve në rrjetin e tyre, e nëse nuk ka reflektim as pas prerjes së fondeve, menaxhimin e ndërmarrjeve do ta marrë pushteti qendror.

Tv Klan