Dyfishohen kontrollet, gjobiten 356 biznese

Bizneset që nuk respektojnë masat kundër përhapjes së koronavirusit, rrezikojnë mbylljen. Pas gjobës në shkeljen e parë do të vijohet me paralajmërim për mbyllje të aktivitetit në rast të përsëritjes.

“Nuk ka më këshillime por do të vijohet me gjobat dhe mbyllje e aktivitetit për shkeljet e përsëritura. Askush nuk e do këtë por kjo është për të mirën e shëndetit të gjithsecilit”, tha ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Rritja e numrave të infektimeve ka detyruar autoritetet të ashpërsojnë kontrollet në terren pasi situata tashmë është serioze.

“Jemi në një situatë serioze, ku moszbatimi i masave dhe rregullave nga bizneset cënojnë shëndetin e popullatës pasi ndikon në përshkallëzimin e infeksionit. Ne nuk mundemi dot më të tolerojmë neglizhencën”.

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në bashkëpunim me grupet e tjera të Task-Forcës anti-COVID ka dyfishuar grupet në terren.

Raportohet se deri tani janë vendosur mbi 356 gjoba në mbi 97 mijë inspektime dhe monitorime të kryera.

Tv Klan