Tatimet: Sot afati i fundit për të përfituar taksën 8% të dividentit

Bizneset kanë dyfishuar pagesën e tatimit mbi dividentin pas uljes së taksës nga 15 në 8%.

Deri më sot ndërmarrjet kanë shpërndarë 600 milion Euro fitime të mbartura në vitet e shkuara dhe kanë paguar rreth 48 milion Euro taksë dividenti me shkallën e reduktuar.

Eduard Dani, specialist i drejtorisë Tekniko-Ligjore në drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, thotë se sot është afati i fundit që bizneset mund të përfitojnë tatim të reduktuar për fitimet e akumuluara vitin e shkuar, ndërsa për fitimet që janë përpara 2017-s afati i fundit për të përfituar taksën 8% është 30 Shtatori.

Procedura për të paguar tatimin e dividentit me shkallë të reduktuar është e njëjtë me atë të viteve të tjera. Bizneset plotësojnë dokumentacionin online, ndërsa pagesën e derdhin në bankë.

Taksa e dividentit u reduktua në 8% për vitin 2019-ë, ndërsa ligji lejon që sipërmarrësit të përfitojnë nga norma e ulët nëse e bëjnë shpërndarjen për 2018-n deri sot, dhe për 2017 deri në fund të Shtatorit. Vitin e shkuar bizneset paguan deri në këtë periudhë 20 milion Euro tatim të dividentit, duke shënuar vlerën më të ulët ndër vite, ndërsa për këtë 8 mujor pagesa është 2.5 fishuar.

Tv Klan