Shtohet prodhimi, eksportet në fund të Shtatorit u rritën me 33%

Bizneset ulën konsumin e energjisë elektrike në tremujorin e tretë të vitit, duke dhënë sinjale për pakësimin e aktivitetit prodhues të ekonomisë.

Sipas Institutit të Statistikave Shqiptare, në muajt Korrik- Shtator, kohë që përkon edhe me rihapjen e ekonomisë, energjia e përdorur nga abonentët jo-familjarë ishte 832 Gigavatorë, kundrejt 877 Gigavatorë në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

E kundërta ka ndodhur me konsumin e familjeve të cilët kanë rritur përdorimin e energjisë elektrike me 2.5% krahasuar me një vit më parë.

Pavarësisht kërkesës më të ulët për konsum energjie në tregun vendas, prodhimi i saj nga hidrocentralet publikë dhe privatë ka rezultuar me rritje, duke zbutur situatën e vështirë që pati sektori gjatë vitit 2019.

Në total gjatë 9 muajve janë prodhuar 4014 GWh energji, 6.7% më shumë se një vit më parë, i ndikuar edhe nga moti me reshje. Eksportet janë rritur në fund të shtatorit me 33% ndërsa importet ranë me 14% krahasuar me një vit më parë.

Tv Klan