40 ton ndihma u depozituan sot në Qendrën e Pritjes dhe Administrimit të Ndihmave, në mbështetje të familjeve të dëmtuara nga moti i keq pak ditë më parë.

Dorëzimi i 30 ton ushqimeve për familjet, 10 ton ushqimeve për bagëtitë dhe 10 frigoriferëve u bë në një ceremoni të posaçme, ku morën pjesë, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, Presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi dhe një grup drejtuesish të bizneseve më me zë në vendin tonë.

Në një njoftim për mediat thuhet se, Ministrja Xhaçka vlerësoi nismën dhe siguroi transparencë në shpërndarje, në të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet.  

“Unë dua t’ju siguroj që, ndihmat tuaja, kontributi juaj do të shpërndahet në mënyrë shumë transparente, bazuar mbi nevojat reale që njerëzit kanë.  Bashkë me Forcat e Armatosura, ditë natë, jo vetëm ditët e para të emergjencës, po vazhdojmë të jemi sot, do të vazhdojmë të jemi dëri në rimëkëmbjen e plotë,  të të githë atyre që kanë vuajtur pasojat e një furie të pamëshirshme moti. Sapo jemi kthyer nga Delvina ku kemi ndërtuar një urë, ku kemi lidhur mijra banorë, të cilët për shkak të përmbytjeve dhe prishjes së urës nuk arrinin të komunikonin me akset kryesore kombëtare. Po ashtu po mbarojmë një urë në Dropull dhe do të vazhdojmë të jemi aty ku ka nevojë për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të kthyer të gjithë situatën në normalitet, për të gjithë ata që kanë qenë të prekur nga përmbytjet”

, tha Ministrja Xhaçka në fjalën e saj.

Grumbullimi i ndihmave erdhi pas apelit të bërë 2 javë më parë nga Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, përmes të cilit kërkohej solidarizimi i sipërmarrësve ndaj atyre familjeve që si rrjedhojë e përmbytjeve që prekën vendin gjenden në kushte vështirësie.

“Bashkëpunimi i zyrës time, i sipërmarrjes dhe i Ministrisë së Mbrojtjes do të jetë në vazhdim e sipër, për çdo nevojë që Ministria e Mbrojtjes do të ketë në menaxhimin e situatave të tilla emergjent”,

deklaroi Ministrja Qato.

Presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi tha se biznesi shqiptarë do të vazhdojë të kontribuojë në situata të tilla emergjence.

“Dëshiroj t’i premtoj dy ministreve, por edhe kryeministrit Rama që biznesi shqiptar do të jetë gjithmonë i gatshëm për të kontribuar, sepse janë njerëzit tanë që janë përmbytur, janë familjet tona, janë klientët tanë, janë konsumatorët tanë dhe ne do ti gjendemi atyre në këto ditë të vështira

.

Shpërndarja e ndihmave, kontribut i bizneseve do të nisë në ditët në vijim bazuar në kërkesat e ardhura nga pushteti vendor në zonat e prekura nga emergjencat në fillim të këtij muaji

./tvklan.al