90% e aktivitetit financiar në Shqipëri dominohet nga bankat, duke sjellë alternativa të pakta për kreditimin e bizneseve familjare. Shqetësimin e ka ngritur kreu i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën vjetore të zhvillimit të tregut financiar.

Ai tha se më shumë se 1/3 e ndërmarrjeve të vogla nuk kreditohen dhe kanë kosto të lartë për marrjen e një huaje.

“Konkretisht, më shumë se 1/3 e ndërmarrjeve të intervistuara e vlerëson aksesin e ulët në financim dhe koston që shoqëron atë si shkakun kryesor të moszgjerimit të veprimtarisë. Këto njësi mikro që janë kryesisht biznese familjare, kanë më shumë nevojë të bashkëpunojnë me institucionet financiare jo banka, pasi ato hasin vështirësi në përmbushjen e kërkesave që lidhen me kolateralin apo dokumentacionin e hollësishëm financiar, kushte këto që kërkohen nga bankat”. 

Ndërsa ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se Shqipëria do të vijojë të bëhet një vend më i sigurtë për të investuar. Pavarësisht largimit, FMN do të vijojë të monitorojë parametrat kryesorë të ekonomisë.

Tregu financiar është ende në fazat e para të zhvillimit të tij. 80% e portofolit të investimeve janë në llogari rrjedhëse dhe depozita, dhe 12% në letra me vlerë.

Tv Klan